fbpx

Si ishte bota të shtunën?

Të premten e vranë.

Të shtunën, në mengjës, ndjekësit e tij ishin të trembur. Të dëshpëruar. Shpëtimtari, Mesia, kishte vdekur. E kishin parë duke vdekur me sytë e tyre. Ndoshta Pjetrit, i kalonte ndërmend, se më mirë që e kishte mohuar, përderisa Jezusi nuk ishte Mesia. Ishte thjesht një njeri i zakonshëm. Ndoshta ishte një njeri i zakonshëm, i sinqertë, e kësisoj pak i pafajshëm, por të paktën, qartazi nuk ishte Mesia.

Romakët u zgjuan të qetë. Kishin mbyllur me sukses një telash. Me mbretër hebrenjsh e ngatërresa me fenë e tyre që gjithsesi sipas tyre ishte pa kuptim. Kuptimi gjendej në forcë, pasuri e pushtet. Për ta, Romakët e atëhershëm e “romakët” e tanishëm, që s’ngopen me taksa e abuzim, gjithçka ka rëndësi është pushtet. Le të shijojmë të përkohshmen sa të mundemi. Le të kënaqemi me atë që hamë, tani! Le të mbledhim e të hamë pa pushim. E të pijmë! Verë të mirë! Në fund të fundit, dikush, që mendonte se jeta është ndryshe, e se Zoti i përjetësisë ka një pamje tjetër të realitetit, është në varr, i vdekur!

Le të pimë! Le ta shijojmë këtë botë, gjer në padrejtësi! Duke shkelur mbi të drejtën e trupat e njerëzve më të dobët.

[yop_poll id=”1″]

Për Pilatin, një prej romakëve, që kishte pasur mundësi ta shikonte filmin e Jezusit nga afër, nuancat e triumfit të pushtetit kishin edhe një shije tjetër shtesë. Ai kishte pyetur, të paktën për të vërtetën. Cila është e vërteta? Edhe të shtunën, e mori përgjigjen që kërkonte! E vërteta nuk egziston. E vërteta vdes. Ja, ku e keni varrin e atij që pretendonte një përgjigje tjetër. A nuk e shikoni? U vra dje, është në varr sot.Grua, i thotë Pilati, gruas së tij! Endrrat janë të kota. Ti më the që të kem kujdes me Jezusin, sepse është i pafajshëm, por ai vdiq si gjithë të tjerët. Lëri ëndrrat. Më beso mua! Nuk ka të vërtetë! Ndoshta është mirë të pyesim herë pas here, por vetëm, që ta dallosh, njerëzit nuk duan teoritë tona, njerëzit duan interesin! A e vure re se si zgjodhën një kriminel, përpara një njeriu të pafajshëm?

Ajo është e vërteta, të zgjedhim atë që na intereson!

Le ta shfrytëzojmë botën edhe njerëzit, gjer në palcë! Gjer aty ku gjithçka na shërben. Lëri mënjanë ëndrrat me drejtësi. Pilati, të shtunë, po thurte plane se si të shfrytëzonte situatën për të ngjitur një shkallë tjetër.

Zelotasit, ata që janë gati të marrin armët për të zaptuar botën, sepse vetëm kjo është zgjidhja, do të gëzoheshin të shtunën. A e vutë re, se si, ai, Jezusi, pacifisti, vdiq? Nuk ka zgjidhje tjetër. Padrejtësia, kur ushtruesit ia tejkalojnë caqet, kërkon të njëjtën përgjigje. Zelotasit, janë duke bërë gati armët të shtunën, edhe sapo kanë lajmëruar protestën e radhës.

Vëzhguesit, të shtunën, janë më të motivuar të vëzhgojnë. Pse lodheni kot? Ai vdiq. Fjalët ikën. Aktorët ngelen. Vazhdojeni aktrimin. Unë jam i ulur në karrigen time edhe shikoj. Ç’kuptim ka përpjekja? Eshtë e shtunë!

Ironikët kanë ditën e tyre të preferuar të shtunën. Mund të postojnë statuse ironike me këdo që është marrë me këtë histori. Hë, mo, ku e keni mbretin? Në varr? A nuk vdesin të gjithë? Hë, mo, ju që u lodhët duke e kundërshtuar, a nuk e dinit që do të vdiste gjithsesi? Hë, mos, ju që merreni me fe, ku e keni Jezusin tuaj? Çfarë të mire ju solli Jezusi ju? Hë, mo?

Disa të tjerë, të shtunën, janë duke kërkuar për një fe që s’egziston akoma. E duan edhe drejtësinë, edhe zellin e zelotasit, edhe paqen, edhe forcën, edhe pushtetin, edhe paranë, edhe ligjin.

Përse nuk ka një fe tjetër, ndryshe nga Jezusi, por afër Jezusit, ku njeriu mund të fitojë vetë gjithçka?

Të shtunën, bota e atëhershme, – njësoj si bota e tanishme – do të ishte duke bërë sehir, duke protestuar, duke kundërshtuar, duke qarë e vajtuar, duke u përpëlitur për t’ju shkëputur nga të gjitha zgjidhjet e gabuara, duke shkruar statuse ironike, e duke iu kundërvënë të gjithë atyre që kanë një ide ndryshe nga të tjerët.

Të shtunën, të dyja botët, do të kishin të gjitha përgjigjet që do të dëshironin, por pa paqen!

Edhe s’ka si të jetë ndryshe. Nuk ka paqe në padrejtësi. Nuk ka paqe në vdekje! Ka paqe, vetëm kur padrejtësia dënohet, edhe e mira triumfon.

Duhet të presim çfarë do të ndodhë të dielën…

[x_author title=”Rreth Autorit” author_id=”2″]