fbpx

Më pëlqen festa, por s’më pëlqen Krishtlindja!

Sa herë vjen dhjetori, atmosfera ndizet dhe bëhet gjithmonë e më e bukur.

Shkëmbimi i dhuratave, dritat e qytetit, pazaret e mbushura plot e përplot, komshiu që plas kapsolle apo tjetri që shpërthen fishekzjarre, gjeli i detit, pema e Krishtlindjes – të gjitha këto sjellin gjallëri në festë. Dhe pastaj vjen mundësia të rrish natën vonë e të flesh deri në mesditë.

Mbase për vite me radhë ke vlerësuar gjatë dhjetorit festat me miqtë, pushimet dhe vaktet e shijshme me familjen. Si shumë të tjerë, mbase ke menduar se domethënia e Krishtlindjes nuk të intereson fare: mjafton të festosh, të pushosh e ta shijosh atmosferën. S’të pëlqen të futesh më thellë, as të hulumosh më shumë këto festat me karakter fetar. Dhe s’të vë faj. Unë e shijoj shumë këtë pjesë të festimit. Shumë fare. Fundi i vitit është kohë për t’u gëzuar e jo për t’u thelluar!

Por, ndryshe nga shumë festa të tjera, Krishtlindja nuk të lë rehat të festosh thjesht në sipërfaqe!

Sepse Krishtlindja ka të bëjë pikërisht me secilin prej nesh. Ka të bëjë me mua, me ty, me gjithsecilin, pa dallim.

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”

Krishtlindja ka të bëjë pikërisht me ty. Dhe me gjithëkënd tjetër që është pjesë e kësaj bote.

Me ardhjen e Krishtit në botë, Perëndia tregoi dashurinë e Tij të madhe për njeriun. Bota nuk ka njohur e as do të njohë dashuri më të madhe se kjo. Dikush la lavdinë e Tij prej Perëndie, për të marrë trajtë njerëzore në një bebe, të jetojë një jetë të përsosur, pa asnjë të keqe, dhe prapëseprapë të japë jetën e tij për të padrejtët.

Krishti erdhi në botë që të na jepte jetë, të na nxirrte nga errësira e mëkatit dhe paudhësisë. Krishtlindja është dhurata e Perëndisë për ne. Krishti mori trajtë njeriu, erdhi për të na shpëtuar nga mëkati, i motivuar nga dashuria e tij për ne.

Ardhja e Krishtit në botë si foshnje është lajm i gëzuar për të gjithë. Ai është shpresa e premtuar për të gjitha kombet. Vite përpara se të lindte Jezusi, ardhja e Tij ishte parathënë. 700 vjet përpara ardhjes së tij, ishte shkruar se ai do të quhej Princi i Paqes, Mbreti i admirueshëm, Atë i përjetshëm.

Bota jonë e përditshme sillet rreth konflikteve, fatkeqësive, protestave për të drejtën. Shpesh, as zgjidhja e këtyre problemeve nuk sjell më shumë kuptim, prapë nuk ndihemi të përmbushur, prapë nuk jemi të kënaqur. Pas mbarimit të festave, ndihemi edhe më keq se përpara.

Krishtlindja përcjell pikërisht mesazhin e Shpresës në një kohë errësire.

Ka shpresë. Shpëtimtari erdhi të na shpëtojë nga sfidat dhe mundimet, nga errësira, nga mungesa e shpresës, nga monotonia,  nga shqetësimet e kësaj bote, nga sëmundjet, nga e keqja.

Vetëm diçka kërkohet prej nesh: vendosja e besimit mbi Të. Nëse besojmë në Të, nuk do të kemi humbje. Nuk do të kemi humbje pavarësisht gjithë ndodhive apo situatave të përkohshme të kësaj bote. Sepse Shpëtimtari erdhi dhe ka fituar mbi këtë botë një herë e përgjithmonë.

Perëndia na do me një dashuri të përsosur dhe sakrifikuese. Besimi ynë na e mundëson përjetimin e kësaj dashurie.

Çfarë do të bësh ti kundrejt realitetit të Krishtlindjes? Çfare vendimi do të marrësh?

Nuk mendoj se ka dhuratë më kuptimplotë dhe më me vlerë sesa dhurata e vërtetë e  Krishtlindjes, Krishti vetë, dhurata e shpëtimit.

Kjo dhuratë na është dhënë nga Perëndia vetë.

Të uroj një festim të këndshëm, por mbi të gjitha një festim që mbështetet në domethënien e vërtetë të ngjarjes.

Jezusi ia vlen të merret në shqyrtim...

Faleminderit që lexuat mendimet tona për domethënien e Krishtlindjes. Por ne nuk presim që ju thjesht të na besoni ne verbërisht kur flasim për Jezusin. Merrni një libër falas duke plotësuar formën e mëposhtme edhe shikoni vetë nëse Jezusi ia vlen të ndiqet! Gëzuar Krishtlindjen nga Instituti “Jeta e Re”.